Kosova bëhet me objekt radiometabolik, ndihmon qeveria japoneze
Projekti për ndërtimin e objektit radio-metabolik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka për qëllim themelimin e njësisë radio-metabolike për trajtimin e pacientëve me kancer të tiroides që marrin radioterapi në Qendrën Klinike Universitare. Projekti po mbështetet nga qeveria japoneze.
Në hapësirat e QKUK-së së shpejti pritet të ndërtohet objekti i parë radiometabolik. Kjo falë grantit prej 107 mijë eurove të siguruara nga Qeveria e Japonisë, Rotary Club Prishtina dhe QKUK-së, të cilët e nënshkruan projektin.
“Këtë vit po festojmë 15 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Qeveria e Japonisë është e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përpjekjen e saj në fazën e zhvillimit të shtetit. Është kënaqësi për të shtuar një kontribut të ri që besoj që do t’u përgjigjemi nevojave mjekësore përmes projektit dhe shpresës se do të jetë një gjurmë e re simbolike për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe miqësinë e shkëlqyer të dy vendeve”, ka thënë Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me Punë – Ambasadës së Japonisë në Kosovë.
“Ky objekt i ri është shumë i rëndësishëm për Kosovën pasi pacientët me kancer të tiroidës ju duhet tretman i veçantë. Por, pasi ne nuk kemi objekt të duhur, ata janë të detyruar të udhëtojnë në shtete tjera, e kjo sjellë shumë probleme, pasi çdo udhëtim kushton rreth 2500 mijë eurosh dhe gjithashtu krijon shumë shumë stres tek pacientët dhe familjen gjatë kësaj periudhe të vështirë”, ka thënë Ardiana Bunjaku, përfaqësuese e Rotary Club Prishtina
Kurse Osman Hajdari, u.d. Drejtor i QKUK-së, tha se përveç kompletimit të infrastrukturës, natyrisht do të rritë edhe nivelin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore, saktësinë e diagnozës dhe trajtimin sa më të mirë për pacientët dhe qytetarëve tanë të cilët kanë nevojë.
Ky është objekti i parë për trajtim mjekësor të tiroides që krijohet në Kosovë, nga ku do të përfitojnë rreth 100 pacientë në vit.