Kompleksi Memorial Adem Jashari, Kurti: Do t’i tejkalojë barrierat kohore
Komiteti Ndërministror për zhvillimin e kompleksit “Adem Jashari”, ka prezantuar Masterplanin e Kompleksit “Adem Jashari”.
Kryeministri Kurti, i cili e drejton këtë komitet, tha se projekti do të trajtohet me ndjeshmëri të lartë.
“Pas një periudhe të vlerësimit, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona publike dhe Universiteti i Prishtinës, sot kemi propozimin fitues të masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që zë një hapësirë të gjithëmbarshme prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz. Me kujdes e durim, i kemi përcjellë të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të kontratës për hartim të masterplanit do të vazhdojmë me veprime përkatëse për realizimin e planeve dhe projekteve përbërëse të masterplanit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve në mënyrë që të sigurohemi që hartimi i masterplanit të zhvillohet me efikasitet brenda dinamikës së paraparë brenda afatit kohor”, tha kryeministri Kurti.
Kurti mes tjerash tha se ka bindjen që ky masterplan do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, rrëfim që sipas tij, do t’i tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, teksa shtoi se kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.