REL: Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?
Në pak sekonda mund ta zgjedhësh qytetin. Më pas kombësinë, moshën,
gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve dhe të syve, e madje edhe
preferencat seksuale.
Mjafton një klikim dhe në ekran të shfaqen dhjetëra profile grash që ofrojnë shërbime eskorte në Kosovë.
Sipas autoriteteve kosovare, prapa disa prej këtyre profileve nuk
fshihen gra që veprojnë me vullnetin e tyre, por viktima të trafikimit
me qenie njerëzore.
Në këtë platformë, të identifikuar edhe nga Policia e Kosovës për
shitje të shërbimeve seksuale, Radio Evropa e Lirë gjeti shumë profile
të grave nga shtetet e Amerikës Latine.

Disa prej profileve thuhet të jenë të verifikuara nga vetë platforma, e cila ofron shërbime në të gjithë Evropën.
“Ato që rekrutohen nga jashtë, sidomos nga shtetet e Amerikës Latine,
rekrutohen me kontrata të rregullta. Paraqiten si punëtore të rregullta
në Kosovë, me lejeqëndrim dhe pajisen me kontratë pune”, thotë për
Radion Evropa e Lirë Zana Sadiku-Sertolli nga Prokuroria Themelore në
Prishtinë.
Sadiku-Sertolli, e cila është koordinatore për veprat penale të
trafikimit me qenie njerëzore, thotë se kjo formë e rekrutimit dhe
organizimit e ka vështirësuar ndjekjen penale të këtyre rasteve.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme –
përgjegjëse për lëshimin e lejeve të punës dhe lejeqëndrimeve për
shtetas të huaj – për politikat dhe strategjitë për luftimin e këtij
fenomeni, por as pas tri javësh nuk ka marrë përgjigje.
Lidhur me platformën ku ofrohet shërbimi i eskortave, REL-i ka pyetur
edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare
(ARKEP) nëse ka pasur ndonjë kërkesë për të bllokuar qasjen në këtë
ueb-faqe në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.
Në të kaluarën, ARKEP-i ka ndërhyrë duke detyruar ofruesit e
internetit dhe operatorët mobilë të bllokojnë faqet e mediave ruse të
sanksionuara në Kosovë. Ndërsa, edhe pse me shërbime që bien ndesh me
ligjin, shumë platforma të basteve online që funksionojnë nga jashtë
vendit, janë të qasshme në Kosovë.
Policia e Kosovës ka thënë për REL-in se është duke monitoruar
ueb-faqet e dyshuara, përfshirë atë ku listohen edhe gra nga Amerika
Latine, por ka shtuar se “në këtë fazë nuk mund të ofrojmë informata të
tjera”.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga ky institucion thuhet
se Kosova “vazhdon të mbetet vend i origjinës, transitit dhe
destinacionit për viktimat e trafikimit” dhe se një nga format e reja të
identifikuara është ofrimi i shërbimeve seksuale përmes faqeve online
të eskortave.
Sipas atij raporti, viktimat janë zakonisht të moshave nga 18 deri në
30 vjeç dhe vijnë në mënyrë të organizuar nga vende si: Brazili,
Venezuela, Kolumbia e Peruja.
Pikërisht një shtetase e Perusë është arrestuar në Prishtinë në vitin
2024 nën dyshimet se ishte njëra nga organizatoret e këtij rrjeti të
trafikantëve.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë të dhëna nga Prokuroria
Speciale për vazhdimësinë e procedurave në këtë rast, por nuk ka marrë
përgjigje.
Para disa muajsh, mediumi Kallxo.com raportoi se kishte siguruar një
pjesë të dosjes hetimore të këtij rasti, ku dyshohet se organizatorët e
rrjetit ua merrnin mbi 50 për qind të fitimeve vajzave të trafikuara, që
rriheshin nëse nuk respektonin udhëzimet.
Edhe në Bosnje e Hercegovinë, Zyra e Prokurorëve tha për REL-in se
gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka identifikuar disa shtetase braziliane të
shfrytëzuara seksualisht përmes së njëjtës platformë.
Sipas saj, një grup i organizuar kriminal organizonte transportin dhe
akomodimin e viktimave, ndërsa fitimet u dërgoheshin organizatorëve
përmes kriptovalutave. Në hetime janë përfshirë edhe Europol-i,
Interpol-i dhe autoritetet braziliane.
Në Kosovë, bashkëpunimi juridik me vendet e origjinës së këtyre
viktimave është dëshmuar më i ndërlikuar në rastet ku vendi nuk ka
marrëdhënie diplomatike me vendin e origjinës së viktimës, tregon
prokurorja Sadiku-Sertolli.
“Ka shtete që nuk e njohin Kosovën dhe duhet të ekzistojë një
marrëveshje bilaterale me shtetin ku e ka origjinën ajo viktimë, pasi që
duhet të vlerësohet se a do të ishte e sigurt viktima që të kthehej
atje [ose jo]”, thotë ajo, duke shtuar se, megjithatë, ky problem
zgjidhet zakonisht përmes Zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në
Ministrinë e Drejtësisë.
Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Agjencia evropiane e policisë, Europol, thotë se trafikimi për
shfrytëzim seksual, përfshirë i grave nga Amerika Latine, është pjesë e
rrjeteve kriminale që veprojnë në disa kontinente.
Në qershor të këtij viti, disa agjenci të policisë dhe sigurisë –
Europol-i, Interpol-i, Frontex-i dhe Ameripol-i – koordinuan një
operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku morën
pjesë edhe autoritetet kosovare.
Operacioni përfundoi me mbi 1.000 arrestime dhe identifikimin e një numri të madh viktimash nga Amerika Latine.
“Gjatë fazës operative, vendet pjesëmarrëse kryen veprime të synuara
për zbatimin e ligjit, duke përfshirë kontrolle të përforcuara në pikat e
nxehta, si kufijtë dhe aeroportet, si dhe hetime proaktive për rastet
në vazhdim, që kërkojnë bashkëpunim operativ të nivelit të lartë”, tha
Europol-i në përgjigjen për REL-in.
Kosova nuk listohet në mesin e vendeve ku pati arrestime.
Ndërkohë, edhe në Shqipëri, mediat kanë raportuar për një situatë të
ngjashme si në Kosovë me eskorta nga vendet e Amerikës Latine, por
autoritetet shtetërore nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë
temë.
Ndërsa, në Serbi, ku është rritur numri i viktimave të identifikuara
të trafikimit, raportuesi kombëtar për këto raste, Zoran Pashalliq, i
tha REL-it se, deri më tani, nuk ka të dhëna për viktima nga Amerika
Latine.
Për dallim nga Serbia, statistikat në Kosovë tregojnë se numri i
viktimave të identifikuara të trafikimit ka rënë në vitet e fundit.
Megjithëse nuk specifikohet se sa prej tyre janë shfrytëzuar
seksualisht, vetë policia e cilëson këtë si një nga format më të
përhapura të trafikimit dhe pranon se numri real i viktimave besohet të
jetë më i lartë.
Këtë muaj, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion nëpër sallone
masazhi dhe në lokale të natës me muzikë, i cili përfundoi me arrestimin
e disa personave.
Megjithatë, ata u dyshuan për veprat penale të mundësimit të prostitucionit e jo për trafikim me qenie njerëzore.
Ku qëndron dallimi? Prokurorja Sadiku-Sertolli thotë se dallimi
qëndron te liria e personit: trafikimi nënkupton se viktima rekrutohet,
kontrollohet ose detyrohet për t’u shfrytëzuar, ndërsa mundësimi i
prostitucionit lidhet me organizimin ose përfitimin nga prostitucioni.
Ajo tregon se për shkak se trafikuesit sigurohen të mos lënë prova
materiale, institucionet e hetuesisë në Kosovë e kanë të vështirë të
sigurojnë prova materiale përtej deklaratave të viktimave.
“Këtu, sfidë tjetër është që viktimën ta bindësh që është viktimë e
trafikimit”, tregon Sadiku-Sertolli, duke theksuar se ky problem shfaqet
veçanërisht te viktimat nën moshën 18-vjeçare.
Sipas një raporti të Policisë së Kosovës, gjatë viteve 2021-2024 janë
identifikuar 42 viktima në këtë grup-moshë, prej të cilave tetë ishin
të moshave nga 12 deri në 14 vjeç. Shumica prej tyre thuhet të jenë
shfrytëzuar për shërbime seksuale.
Por, jo vetëm mungesa e gjurmëve të lëna nga trafikuesit e vështirëson ndjekjen penale të këtyre rasteve, thotë Sadiku-Sertolli.
Ajo thotë se, pavarësisht bashkëpunimit të mirë mes institucioneve,
sfida mbeten kapacitetet e kufizuara të disa prej tyre, veçanërisht
mungesa e stafit në shërbimet sociale dhe pajisjeve të punës për policë.
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Këshilli
Gjyqësor i Kosovës, për rastet e trafikimit me qenie njerëzore në tre
vjetët e fundit janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim.
Kodi Penal parasheh dënime prej pesë deri në 12 vjet burgim për
trafikimin me qenie njerëzore, ndërsa në rastet më të rënda dënimi mund
të arrijë deri në burgim të përjetshëm.
E, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me
qenie njerëzore për vitin 2025 kritikon Kosovën pikërisht për politikën
ndëshkimore.
Në raport thuhet se dënimet nën minimumin ligjor dhe “shqiptimi i
gjobave si ndëshkim i vetëm minojnë përpjekjet për t’i mbajtur
trafikuesit përgjegjës, dobësojnë efektin parandalues, krijojnë
shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk pasqyrojnë
seriozitetin e kësaj vepre penale”.

I njëjti raport vë në pah edhe një tjetër problem, të cilin e thekson
edhe prokurorja Sadiku-Sertolli: mungesën e trajnimeve dhe ekspertizës.
Sipas raportit, shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim
dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet që përfshijnë
kontroll emocional ose psikologjik të viktimave – gjë që mund të ndikojë
në shqiptimin e dënimeve më të lehta ose në kualifikimin e rasteve si
vepra penale me dënime më të ulëta se trafikimi me qenie njerëzore.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës
lidhur me sfidat që gjykatat hasin në trajtimin e rasteve të trafikimit
me qenie njerëzore dhe masat që po ndërmerren për forcimin e
kapaciteteve të gjyqtarëve në këtë fushë, por, deri në publikimin e
këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
