Komente të rënda në rrjete sociale, reagon ashpër Duda Balje
Deputetja Duda Balje ka reaguar ndaj komenteve të shumta e të rënda që mori në postimin e së martës kur shkroi se shkarkimi i dy zyrtarëve të saj nga qeveria në detyrë e Albin Kurtit ishte vazhdim i hakmarrjes ndaj saj.
Balje u ka bërë thirrje komentuesve që çdo fakt kundër saj ta raportojnë tek autoritetet.
Ajo ka shkruar se gënjeshtrat, linçimet mediatike, fyerjet, kërcënimet dhe shantazhet vetëm ia pastrojnë mëkatet.
“Përshëndetje për të gjithë ju që nga dje keni shkruar komente në postimin tim të fundit — gati 400 prej jush. Dua t’ju them këtë: nëse keni ndonjë provë, qoftë edhe më të voglën, që unë ose ndonjë anëtar i familjes sime kemi bërë diçka të keqe ndaj shtetit apo ndonjë individi, raportojeni aty ku duhet”, ka shkruar Balje në Facebook.
“Nëse nuk keni — dhe të gjithë e dimë që nuk keni, e me çdo koment tuajin vetëm përhapni gënjeshtra — mos e humbni më kohën. Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time”, ka shkruar ajo.
“Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet. Në emër të kësaj — uroj të jeni mirë dhe me shëndet ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Balje.
Paparaci të martën ka raportuar se Kurti ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e partisë së Baljes dhe këshilltarin e tij.
