Kolaj: Thirrjet e ambasadorëve ndërkombëtarë për kompromis, sinjal pozitiv

Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar si lajm pozitiv shtimin e thirrjeve nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë për kompromis mes partive politike dhe deputetëve të zgjedhur. Ai ka theksuar rëndësinë që këta përfaqësues politikë, të cilët tashmë kanë dhënë betimin, të veprojnë me përgjegjësi për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.

“Është lajm pozitiv që kohët e fundit janë shtuar thirrjet nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, që politikanët, partitë politike dhe deputetët, të cilët e kanë dhënë betimin, të ndërmarrin hapa kompromisi dhe të arrijnë ta konstituojnë Kuvendin. Kemi hyrë në një fazë shqetësuese, ku Kosova, edhe pas një periudhe të gjatë pas përfundimit të zgjedhjeve, nuk po arrin të formojë institucionin më të lartë legjislativ, dhe kjo po ndikon negativisht në shumë drejtime, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme”, tha Kolaj.

Ai paralajmëroi se mungesa e institucioneve funksionale po e dëmton kredibilitetin e vendit si brenda ashtu edhe jashtë tij, duke shtuar nevojën për veprime të menjëhershme në funksion të stabilitetit institucional.


Go to TOP