Kokollari: LDK nuk ringrihet me përçarje – reformat, uniteti dhe shkëputja nga riciklimet janë urgjente
Politologu Kreshnik Kokollari ka reaguar ashpër ndaj debateve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duke pretenduar se LDK-ja dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, janë “sabotuar”. Sipas tij, problemi kryesor nuk është udhëheqja aktuale, por përçarjet e brendshme, riciklimi i funksionarëve dhe mungesa e reformave të thella.
Kokollari thekson se partia duhet të ndërtohet duke dhënë kontribut dhe jo duke kërkuar përfitime personale, ndërsa pas certifikimit të zgjedhjeve, reformat janë të domosdoshme dhe nuk duhet të shtyhen. Ai bën thirrje për qetësi dhe maturi duke nënvizuar se Lidhja ringrihet vetëm përmes bashkimit dhe përpjekjes së përbashkët, e jo me sulme e denigrime ndaj njëri-tjetrit.
Sipas politologut, ata që nuk e kanë dashur kurrë LDK-në nuk mund të paraqiten sot si zgjidhje më e mirë sesa ata që janë rritur dhe formuar brenda saj, ndonëse kjo nuk vlen domosdoshmërisht për të gjithë. Ai paralajmëron se çdo hap prapa drejt riciklimit të funksionarëve do të ishte një faturë e rëndë elektorale për LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
Kokollari vlerëson se Lumir Abdixhiku “ka bërë boll” duke pasur parasysh vështirësitë dhe sfidat me të cilat është përballur, madje edhe më shumë se sa është pranuar publikisht. Megjithatë, ai nënvizon nevojën emergjente për shkëputje nga “megalomania e akademikllëkut”, si dhe për ndryshim të gjuhës, diskursit dhe formës së veprimit politik, nga një grusht deputetësh drejt një shumice gjithëpërfshirëse.
Në fund, Kokollari thekson se LDK-ja duhet të jetë e pavarur, të pranojë vullnetin e anëtarësisë dhe qytetarëve, por të mos i nënshtrohet kërcënimeve apo ndikimeve të jashtme. “Nuk ka pasur dhe nuk duhet të lejojmë të na udhëzojnë ‘lejlekkët e levrekët’”, shprehet ai duke bërë thirrje për unitet dhe ringritje me dinjitet.
“Këtë rrugë duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, nga gjunjët, drejt shpinäs e ballit lart”, përfundon Kokollari duke riafirmuar besimin e tij në ringritjen e LDK-së. /Kosova.info/
