Koci: Kurti po del armiku më i madh i vetes – në politikë mbijeton ai që e mban fjalën

Avokati Arianti Koci, ka deklaruar se skena politike kosovare është bastarduar, sipas tij, në momentin kur u.d. presidentja Albulena Haxhiu u propozua 54 herë për kryetare të Kuvendit nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Koci thotë se nëse do të ishte propozuar dikush tjetër pas herës së dytë, sot, siç thotë ai, me gjasë do ta kishte një qeveri stabile.

“Kosova është shtet i konsensusit. Sado vota që fiton një parti, herët a vonë i duhen partnerë koalicioni. Tani, pavarësisht votave, VV-ja ua ka hapur rrugën partive opozitare që në çdo zgjedhje t’i rrisin kërkesat”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, avokati thotë se Kurti po del të jetë armiku më i madh i vetes.

“Ironikisht, Albini po del armiku më i madh i Albinit. Mos e bën atë që mundesh, vetëm pse mundesh. Kjo është një sintagmë që më së shumti aplikohet në politikë. Albini e ka bërë. Duke insistuar në një emër, aty ku duhej kompromis, e ka dobësuar aftësinë e vet për të krijuar aleanca. Në politikë nuk mjafton me i fitu zgjedhjet. Duhet edhe me i ndërtu partneritetet që ta bëjnë të mundshme qeverisjen”, thotë Koci.

Po ashtu, ai shtoi se në momentin që kur humbet besimi, çdo fitore shndërrohet në problem, duke theksuar se kryeministri në detyrë po përsërist të njëjtin gabim.

“Sado që mendohet se në politikë lejohen rrena e mashtrimi, trikat e manovrat, në fund mbijeton ai që e mban fjalën. Në momentin kur humbet besimi, çdo fitore shndërrohet në problem. Gabimi i opozitës, kur ishte në pushtet, ishte se mendoi se mund t’i mashtrojë vazhdimisht votuesit. Albini po e përsërit të njëjtin gabim”, ka shkruar ai.

Go to TOP