Koci: Duhet vullnet politik për të dalë nga kriza
Edhe sot nuk u arrit të bëhet konstituimi i Kuvendit, duke dështuar për të trembëdhjetën herë të zgjidhet kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që rrjedhimisht, edhe më tej vazhdon ngërçi politik në vend. Melazim Koci, analist politik, tha se pa vullnet politik kjo krizë do të zgjasë shumë.
Ai vuri në pah dilemën se çfarë do të ndodhte sikur të votohej nga opozita kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, ose çfarë do të ndodhte sikur LVV të ndryshonte kandidaten për të parën e Kuvendit.
Për Kocin të vazhdon të jetë i pakuptimtë insistimi për të parën e Kuvendit, kandidatja e LVV-së Albulena Haxhiu, teksa vuri në dukje se ka të ngjarë që, as LVV, as partitë tjera, nuk e kanë shumicën parlamentare për ta formuar qeverinë.
“Mendoj se nuk qëndron problemi te kandidatura për të parën e Kuvendit, por kemi të bëjmë me mungesën e shumicës parlamentare. Shumicën nuk e ka as Vetëvendosje, as opozita, prandaj blejnë kohë”, tha Koci në “InfoPlus”, në RTK.
Ai më tej shtoi se për arritjen e marrëveshjes politike përgjegjësia në radhë të parë i takon partisë fituese, LVV, por edhe partive tjera.
