KMDLNj: Proces i padrejtë dhe politik
Përkundër pritjeve të ekipeve mbrojtëse se Gjykata Speciale në Hagë do të rrëzonte pjesë të caktuara të aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, sot u bë e ditur se mocioni i përbashkët i avokatëve të mbrojtjes është refuzuar në tërësi. GJykata e Posaçme për Kosovën (GJSR) nuk dha asnjë arsyetim për vendimin e saj, ndonëse, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ky ishte një vendim i pritur.
KMDLNj vlerëson se ky vendim është vetëm vazhdimësi e një procesi të padrejtë, jotransparent dhe të njëanshëm, i cili ka nisur me arrestimin e krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe bazimin në dëshmi të dyshimta, përfshirë edhe ato të një shqipfolëseje të rekrutuar nga BIA e Serbisë dhe një shtetasi shqiptar.
Sipas KMDLNj, që nga fillimi i procedurave ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Bislimit, është vërejtur shpërfillje e thellë ndaj të drejtave të të akuzuarve: mbajtje e zgjatur në paraburgim, refuzim i garancioneve shtetërore nga Kosova për lirim me kusht, injorim i institucioneve të Kosovës përfshirë Kuvendin – i cili themeloi vetë këtë gjykatë – dhe një presion i qëllimshëm për dobësimin e mbrojtjes përmes zvogëlimit të fondeve nga Ministria e Drejtësisë.
Në deklaratën e saj, KMDLNj shpreh bindjen se procesi gjyqësor është i motivuar politikisht, me qëllim të dënimit të themeluesve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, për të riskenuar historinë dhe për të ndikuar në konfigurimin e ri politik në Kosovë, Serbi dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
“Gjykata po luan një lojë të ndyrë duke dënuar me dënime maksimale dhe më pas duke simuluar zbutje të tyre duke shkelur parimin e ligjit më të favorshëm për të akuzuarit,” thuhet më tej në reagimin e KMDLNj.
Sipas tyre, dëshmitë kryesore po vijnë nga burime serbe ose nga bashkëpunëtorë të rekrutuar nga Serbia, çka e bën procesin jo vetëm të padrejtë por edhe absurd përballë parimeve të drejtësisë ndërkombëtare.
Deklaratat publike të përfaqësuesve të gjykatës, si Trandafilova dhe Smith, sipas KMDLNj, kanë treguar qartë tendencën e këtij trupi gjykues duke e bërë të qartë paraprakisht edhe vendimin për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes.
Në përfundim, KMDLNj thotë se një konsensus i heshtur ndërmjet Brukselit, Prishtinës, Beogradit dhe Moskës është arritur për të dënuar themeluesit e UÇK-së dhe për të shërbyer si mjet për rishkrimin e historisë së Kosovës. Sipas tyre, i gjithë procesi është një farsë e kamufluar si drejtësi ndërkombëtare. /Kosova.info/
