KMDLNj: Largimi i Edina Avdiut dhe Hana Marletit nga RTK është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut

KMDLNj ka reaguar ashpër ndaj largimit nga puna të gazetareve Edina Avdiu dhe Hana Marleti nga RTK duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të Ligjit të Punës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Sipas reagimit, vendimi për mosvazhdimin e kontratës së gazetares Avdiu pas tre vitesh pune, pa vërejtje për cilësinë e punës, si dhe presionet dhe kërcënimet e pretenduara ndaj saj, dëshmojnë për një vendim me prapavijë politike dhe jo profesionale. KMDLNj vlerëson se këto veprime përbëjnë diferencim politik dhe cenim të rëndë të të drejtës për punë, si dhe rrezikim të statusit të sinjalizuesve brenda institucionit.

Në reagim përmendet edhe ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhijaj, për të cilin thuhet se ka ndërmarrë edhe më herët masa të ngjashme ndaj gazetarëve të RTK-së, të cilat sipas KMDLNj-së janë rrëzuar në procedura ligjore.

KMDLNj u bën thirrje të gjitha mediave në vend që të solidarizohen me gazetaret e larguara duke paralajmëruar se në të kundërtën “spiralja e hakmarrjes vetëm sa do të rritet”. Po ashtu, organizata i kërkon Komisionit Parlamentar për Media që të reagojë në përputhje me mandatin e tij dhe të ndërmarrë veprime konkrete.

Një thirrje i drejtohet edhe Sindikatës së Pavarur të RTK-së, që të mbrojë anëtarët e saj nga largimet që, sipas KMDLNj-së, po bëhen për arsye politike dhe jo profesionale.

Sipas këtij reagimi, largimi i gazetarëve cilësorë dhe nënshtrimi ndaj pushtetit po e dëmton në mënyrë strategjike dhe të pakthyeshme mediumin publik, i cili sipas aktit të themelimit duhet të funksionojë si shërbim publik dhe jo si zë i pushtetit.

Në fund, KMDLNj kërkon hetime ndaj u.d. të RTK-së për, siç thuhet, “shkelje të rënda profesionale” duke shprehur mbështetje të plotë për gazetaret e larguara dhe duke e cilësuar trajtimin e tyre si degradues dhe në kundërshtim me standardet e të drejtave të njeriut. /Kosova.info/


Go to TOP