Abdixhiku, Kurtit: Lirohu nga paranojat – njerëzit që flasin për rrëzimin e qeverisë i ke në kabinet

Kryetari i LDK-së, njëherit deputet i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka thënë se është emergjencë kombëtare greva në arsim.

“Jemi në javën e tretë të grevës në arsim ku rreth 25 mijë mësimdhënës janë në grevë dhe 318 mijë nxënës nuk vijojnë mësimin. Të kesh 318 mijë nxënës e 25 mijë mësimdhënës jashtë sistemit arsimor është emergjencë kombëtare”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se kjo emergjencë duhet të ngrit alarme e të sjell vendimmarrje.

“Kryeministri  ka zgjedhur polarizimin, fillimisht duke biseduar në distancë me ta e më pas duke lëshuar fletërrufe nga ideologët partiakë se përfaqësuesit sindikal që bashkëpunonte ta sa ishte në opozitë i portretizon si shërbëtor të Serbisë, mësimdhënësit si analfabet, e kundërshtarët politikë në opozitë, media, komuna si organizatorë të grevave me qëllim të rrëzimit të qeverisë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku duke iu referuar Kurtit ka thënë se “duhesh të jesh krejtësisht i shkëputur nga realitit në vend për të gjetur fajtor nga Serbia e deri të opozita. Për LDK-në përgjegjësi i vetëm është kryeministri i vendit”.

I pari i LDK-së ka thënë se i takon kryeministrit të gjej zgjidhje për këtë, duke ua rritur pagat mësimdhënësve.

“Kryeministër lirohu nga paranoja.  Dy vitet e para i ke kaluar me 14 shkurt, 2 të tjera me frikë se po rrëzohesh në fakt njerëzit e vetëm që sot flasin për rrëzim të qeverisë janë te ti në kabinet”, tha Abdixhiku.

Go to TOP