Kuvendi përmbyll sesionin pranveror, shumë kritika për punën e legjislativit

Në mungesë kuorumi të enjten nuk mundi të kalojë në Kuvendin e Kosovës Projektligji për Noterinë.

Për të njëjtat arsye një tjetër projektligj nuk kaloi as gjatë seancës së mërkurës.

Por edhe mjaft projektligje tjera të rëndësishme kanë dështuar të kalojnë në Kuvend gjatë këtij sesioni parlamentar.

Kryetari i Kuvendit tha se nuk ka më vullnet nga grupet parlamentare për të vazhduar punimet e Kuvendit për këtë sesion.

“Kishim një bisedë edhe me grupet parlamentare ne Kryesi të Kuvendit, e shqyrtuam si mundësi datën 11 gusht për një tjetër seancë, por grupet parlamentare më thanë që ka shumë pak gjasa që deputetët të jenë të pranishëm në Kuvend. Konstatoj se nuk ka më kushte objektive për të vazhduar më këtë sesion. E ndërprejmë këtu dhe shihemi në shtator”, e përmbylli Konjufca fjalimin e tij.

Megjithatë në seancën e së enjtes, të zgjedhurit e popullit kanë miratuar një sërë projektligjesh, derisa disa prej tyre mbetën për sesionin vjeshtor, mes tjerash edhe shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027.
Ndër projektligjet më të rëndësishme që u miratuan sot, konsiderohet Projektligji për financimin e subjekteve politike.

Projektligji për financimin e partive politike, mëton ta avancojë transparencën dhe llogaridhënien financiare të partive politike.

Rëndësia e këtij projektligji u vu në pah edhe nga ndërkombëtarët, ku Kosovës iu dha afat se kur duhet të procedohet projektligji.

Pas miratimit të këtij projektligji, organizatat e shoqërisë civile përgëzuan deputetët.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se ligji i ri adreson shumë prej mangësive të ligjit paraprak, si dhe mundëson transparencë dhe llogaridhënie të shtuar financiare nga subjektet politike.

“Partitë parlamentare miratuan sot një ligj që i çelë kuletat e tyre. KDI përgëzon deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e këtij ligji. Ligji i ri adreson shumë prej mangësive të ligjit paraprak, si dhe mundëson transparencë dhe llogaridhënie të shtuar financiare nga subjektet politike”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Mirëpo gjatë ditës, në Kuvendin e Kosovës pati edhe përplasje mes Qeverisë dhe subjekteve opozitare.
Vendosja e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet identifikuese edhe shtyrja e zbatimit të tij për shtator ishte tema që ka nxitur më së shumti debat.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit, lidhur me këtë qështje.

Duke e kritikuar për këtë vendim, Haradinaj e quajti Kurtin ‘good guy’ (djalë i mirë) dhe tha se i njëjti po vepron vetëm sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

I pari i AAK-së tutje iu drejtua kryeministrit me fjalët “tregona çka po bëhet me Rakiqin tënd?”, raporton Telegrafi.

E në replikën e tij, Kurti tha se nuk është radikal në karakter, por vetëm ka bërë veprime radikale në të kaluarën kur sipas tij, situata ishte shumë e rrezikshme për shtetin.

“Nuk e kuptoj se çfarë vlerë paska mos me qenë ‘good guy’. Kur është situata tejet e rrezikshme për shtetin kam bërë veprime radikale. Unë nuk jam radikal për nga karakteri, por nga situatat. Kur Kosova rrezikohet për shkëmbim territorial, Zajednica e ndarje, normalisht që jam radikal. Nëse e keni fjalën për atë”.

Sa i përket ministrit serb, Goran Rakiq, Kurti u shpreh se “unë s’kam koalicion me Listën Serbe, por është obligim kushtetues”.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari ka bërë bilancin e kësaj legjislature.

“87 ligje të miratuara, prej tyre 18 marrëveshje ndërkombëtare. 27 Projektligje janë në procedurën e shqyrtimit. 14 projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare derisa 13 projektligje presin për shqyrtim të pare”, ka shkruar Kusari-Lila e cila ka falënderuar deputetët për kontributin e tyre.

Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.

Drita e gjelbër iu dha edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, Projektligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private.

Go to TOP