Kina dërgon dhjetëra avionë luftarakë mbi Tajvan

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se 32 avionë luftarakë të ushtrisë kineze janë detektuar përreth ishullit në 24 orët e fundit.

Ky është numri i dytë më i lartë i fluturakeve kineze të detektuar mbi ishullin vetëqeverisës gjatë këtij viti.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit po ashtu tha se në 24 orët e fundit janë detektuar edhe pesë anije të Marinës së Kinës përreth Tajvanit.

Trembëdhjetë avionë “kanë kaluar vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit”, u shtua në deklaratë.

Kjo vijë është kufiri jozyrtar mes Kinës dhe Tajvanit.

Forcat e armatosur të Tajvanit kanë “monitoruar situatën dhe dislokuan një avion patrullues, anije të Marinës dhe sisteme të mbrojtjes raketore në përgjigje të aktiviteteve të detektuara”.

Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, kjo ministri kishte detektuar 33 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit – numër rekord i avionëve të detektuar gjatë këtij viti.

Detektimi i këtyre avionëve pasoi zgjedhjet presidenciale të 13 janarit, të cilat i fitoi zëvendëspresidenti aktual, Lai Ching-te, të cilin Pekini e kundërshton.

Muajin e kaluar, Tajvani tha se 11 luftanije kineze u detektuan përreth ishullit – numri më i madh gjatë këtij viti – teksa Tajpei dhe Pekini u përplasën rreth një incidenti vdekjeprurës të një anijeje peshkimi. Anija kineze e peshkimit, me katër persona në bord, u fundos më 14 shkurt afër Tajvanit, teksa po ndiqej nga rojet bregdetare tajvaneze. Gjatë këtij incidenti, dy persona u vranë dhe dy të tjerë shpëtuan.

Ky incident ndodhi në kohën kur tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë të larta.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të saj dhe nuk e përjashton mundësinë që një ditë të marrë kontrollin e tij, qoftë edhe me forcë.

Go to TOP