Kica Xhelili: Kurti po e shantazhon publikisht popullin me buxhetin e qytetarëve
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar atë për “shantazh publik” ndaj qytetarëve.
Sipas saj, Kurti po përpiqet të kushtëzojë ndarjen e buxhetit në bazë të votës politike duke i paralajmëruar komunat se nuk do të marrin fonde nëse qytetarët nuk mbështesin kandidatët e tij.
“Dmth Albin Kurti paska vendosur të shantazhojë publikisht. – Ose i votoni kandidatët e mi, ose nuk jap buxhet për ato komuna ku nuk i votoni,” ka shkruar ajo në reagimin e saj.
Kica Xhelili ka theksuar se buxheti për të cilin flet Kurti nuk është pronë e tij, por i qytetarëve të Kosovës.
“Cilin buxhet o zotëri? Buxhetin e mbledhur nga xhepat e qytetarëve? Buxhetin e punëtorëve, mësuesve, policëve e mjekëve të këtij shteti që ti s’e njihje?,” ka shkruar ajo duke e akuzuar Kurtin për arrogancë dhe sjellje autoritare.
Në fund të reagimit, ajo ka paralajmëruar se “arroganca politike është shenja e parë e një pushteti që ka harruar kush ia dha fuqinë – dhe ata që ta kanë dhënë, ta marrin lehtësisht.” /Kosova.info/
