Abdixhiku: Të dielën, kryeqyteti flet i pari – dritë do të ketë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë një thirrje mobilizuese për qytetarët e Prishtinës dhe përkrahësit e partisë së tij në prag të javës së balotazhit të 9 nëntorit duke theksuar se koha e bllokimeve politike ka marrë fund dhe se LDK po ndriçon kryeqytetin si kurrë më parë.

Në një postim shoqëruar me pamje të Prishtinës, Abdixhiku ka theksuar se LDK dhe qeverisja e saj në kryeqytet po japin shembullin e ndryshimit të vërtetë dhe të punës konkrete.

“Nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë. Nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd. Me një panoramë Kryeqyteti, i cili po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit,” shkroi Abdixhiku.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë më 9 nëntor për LDK-në dhe kandidatët e saj duke e cilësuar këtë datë si momentin kur Prishtina do t’i japë përgjigjen e merituar “kryepopullistit” që, sipas tij, ofron vetëm “bllokim dhe kërcënim për bllokim”.

“Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet e para! Kryeqyteti i jep LDK-së atë që s’mund t’ia ndalin popullistët kurrë: besimin! Si triumf i kohës, si etapë e re për gjithë Kosovën,” theksoi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shtoi se pas Prishtinës, zëri i qytetarëve do të dëgjohet në çdo komunë të vendit, nga zgjedhjet lokale deri në ato nacionale duke e përmbyllur mesazhin e tij me një ton optimist: “Prishtina flet e para! Pas saj, le të flasë secili qytet, le të flasë e gjithë Kosova. Dritë do të ketë!”. /Kosova.info/

Go to TOP