Këshilli i Sigurimit mblidhet për të diskutuar sulmet në Ukrainë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të martën në një takim, për të diskutuar sulmet e dy ditëve të fundit në Ukrainë, të cilat lanë të vrarë së paku 36 persona.

Takimi do të zhvillohet me kërkesë të Britanisë, Francës, Ekuadorit, Sllovenisë dhe ShBA-së.

“Ne do ta dënojmë sulmin frikacak të Rusisë në spital”, tha përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward.

Spitali i Fëmijëve Ohmatdyt, që është objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë, u sulmua të dielën vonë.

Dy njerëz të rritur mbetën të vrarë në sulm.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia e ka sulmuar qëllimisht Spitalin Ohmatdyt, të cilin ai e ka përshkruar si ndër spitalet më të rëndësishme për fëmijë në Evropë dhe në Ukrainë.

“Rusia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për të gjitha krimet e saj. Kundër njerëzve, kundër fëmijëve, kundër njerëzimit në përgjithësi”, tha Zelensky.

“Është shumë e rëndësishme që bota të mos heshtë për këtë tani dhe që të gjithë të shohin se çfarë është Rusia dhe çfarë po bën”, shtoi ai.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës qysh në shkurt të vitit 2022, mohon se shënjestron infrastrukturën civile.

Shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se së paku 36 njerëz janë konfirmuar të vrarë dhe 140 të plagosur si rezultat i sulmeve ruse me raketa në të gjithë Ukrainën, të hënën.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, të cilat, sipas Kievit, kanë lënë dhjetëra njerëz të vrarë, janë “veçanërisht tronditëse”, tha një zëdhënës i Guterresit.

Go to TOP