Kërçeli i VV-së: Komuna e Prishtinës ka suficit rekord të buxhetit me 49 milionë euro
Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, ka kritikuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me raportet financiare.
Ai tha se Komuna e Prishtinës ka suficit rekord të buxhetit me 49 milionë euro në vitin 2023, sipas tij, këto janë bartur që nga viti 2021.
“Nëse shohim raportet financiare, del se nga viti 2021 Komunës së Prishtinës i patën tepruar 38 milionë euro suficit buxhetor, të cilat i kishin bartur në vitin 2022, me arsyetimin se ishte pandemia dhe nuk ishte arritur të shpenzohej ky buxhet. Kurse në vitin 2022 kur erdhi qeverisja e re, suficiti buxhetor lëre që nuk ishte ulur, por kishte thyer rekord me 49 milionë euro të cilat po ashtu u bartën në vitin 2023 me arsyetimin se qeverisja e kaluar kishte planifikuar keq”.
Arsyetimin e kishin të gatshëm menjëherë. Ja një deklaratë e nënkryetarit të Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar “Projekti nuk është emër dhe numër, projekti lypë përgatitje e këto përgatitje i kemi gjetë keq”, ka shkruar Kërçeli.
Ai ka shtuar se paratë po u jepen miqve dhe familjarëve.
“Mirëpo dita-ditës po dëshmohet se këta lëre që nuk dinë të menaxhojnë me planifikimet e kaluara, por edhe me ato që i planifikojnë vet do thyejnë rekord suficiti me mbi 49 milion euro. E tash për të mbuluar marren, kanë filluar të japin subvencione për shokë e familjarë, si në aksham-pazar, me shpresën se do ta ulin pakëz suficitin rekord që do ta kenë edhe sivjet”.
“Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale”, ka thënë Kërçeli.
