Kelmendi ngre alarmin: Kush po rrezikon integritetin e zgjedhjeve në Kosovë?

Gazetari Adriatik Kelmendi ka ngritur shqetësime mbi praktikat që cenojnë procesin zgjedhor në Kosovë, duke përfshirë blerjen e votave dhe ofertat publike për përfitime në këmbim të votës. Në një reagim publik, ai ka shtruar disa pyetje thelbësore që prekin integritetin e zgjedhjeve dhe përkushtimin ndaj demokracisë në vend.

Kelmendi kujtoi se fotografimi i votës është i dënueshëm sipas ligjeve të Kosovës dhe ngriti pikëpyetje mbi ofertat e biletave falas të autobusit duke pyetur nëse këto përbëjnë formë blerjeje të votës. Ai kërkoi përgjigje për ata që publikisht ofrojnë apo pranojnë të blejnë vota, duke theksuar nevojën për ndjekje ligjore të këtyre veprimeve.

Në mesazhin e tij, Kelmendi u bëri thirrje subjekteve politike të distancohen nga individët ose grupet që përfshihen në praktika të tilla, duke paralajmëruar se ato mund të dëmtojnë reputacionin e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Kosova deri më tash është krenuar me nivelin e mbajtjes së zgjedhjeve. Kush po dëshiron ta shkatërrojë edhe këtë arritje të Kosovës?” pyeti ai duke apeluar për reflektim dhe veprim ndaj çdo tendence që minon integritetin e procesit zgjedhor.

Kelmendi përfundoi duke bërë thirrje për ruajtjen e demokracisë dhe respektimin e parimeve ligjore si bazë për të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP