Kelmendi: Konjufca është kandidatura më serioze e Kurtit, por tash gjithçka duket “too little, too late”
Analisti politik Adriatik Kelmendi ka vlerësuar se Glauk Konjufca përfaqëson kandidaturën më serioze që Albin Kurti ka propozuar deri tani, por shton se ky hap ka ardhur tepër vonë për të ndryshuar situatën politike në vend.
“Glauk Konjufca është kandidatura më serioze e Albin Kurtit. Nëse do ta kishte propozuar në fillim për kryetar të Kuvendit, nuk do të zgjaste me muaj saga e dështimeve, dhe nëse do ta kishte propozuar në fillim si mandatar të qeverisë, ka gjasa Kosova do ta kishte kryeministër Glauk Konjufcën. E bërë tash duket se është too little too late,” ka deklaruar Kelmendi.
Sipas tij, qëllimi i vetëm i Kurtit tani është të fitojë kohë: “Ose e gjen ndonjë deputet nga partitë e tjera që t’ia votojë Qeverinë Konjufca për t’u përgatitur për ‘Kurti 3’ pas zgjedhjeve në mars-prill, ose ta arrijë datën 28 dhjetor për zgjedhje të reja duke llogaritur votat e mërgimtarëve që vijnë për festa.”
Kelmendi thekson se kjo strategji tregon më shumë për kalkulimet zgjedhore të Kurtit sesa për ndonjë zgjidhje reale të krizës politike. /Kosova.info/
