IHMK: Kushte të favorshme biometeorologjike dhe agrometeorologjike në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të shtunën, më 25 korrik, në vend do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 23 deri në 26°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.

IHMK vlerëson se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e popullsisë. Temperaturat e freskëta të mëngjesit dhe ato mesatarisht të ngrohta gjatë ditës do të krijojnë kushte komode, megjithëse në zonat më të ulëta, ku gjatë fundjavës temperaturat mund të arrijnë rreth 30–31°C, mund të ketë ngarkesë të lehtë termike gjatë orëve të mesditës, veçanërisht për personat e moshuar dhe ata me probleme kardiovaskulare.

Instituti rekomandon hidratim të mjaftueshëm dhe shmangie të ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Sa i përket kushteve agrometeorologjike, IHMK thekson se moti do të jetë i favorshëm për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, në zonat ku temperaturat do t’i afrohen 30–31°C, rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe ujitja e kulturave, veçanërisht e misrit, specit, domates dhe kulturave të tjera pranverore, në orët e mëngjesit ose të mbrëmjes.


Go to TOP