Kelmendi: Egoja e pushtetit mbi faktet – Kurti hesht, deputetët e tij flasin marrëzira

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për heshtjen e tij të gjatë lidhur me bllokimin institucional pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se tash e 10 javë Kurti nuk ka dhënë asnjë fakt për pengesat në formimin e institucioneve dhe po ua lë “marrëzitë” deputetëve të tij.

“Faktet para fiksionit”, thotë Kelmendi duke kundërshtuar pretendimet publike të disa përfaqësuesve të Vetëvendosjes.

Ai përmend deklaratën e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, se Albulena Haxhiu duhet të bëhet kryetare e Kuvendit sepse ka marrë më shumë vota se liderët e opozitës. Kelmendi e quan këtë argument të pasaktë dhe të paqëndrueshëm duke theksuar se kryetari i Kuvendit zgjidhet me vota të deputetëve, jo të qytetarëve. “Nëse votat qytetare do të ishin kriteri, atëherë më i votuari pas Kurtit është Glauk Konjufca – pra, a nuk duhej ai të ishte kandidati?”, pyet ai.

Ai gjithashtu kritikon deklaratën e Albulena Haxhiut, e cila pretendoi se nuk po votohet për shkak të paragjykimeve seksiste. Kelmendi thekson se kjo bie ndesh me faktin se opozita ka propozuar dy deputete gra – Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin – për të njëjtën pozitë. “Apo ndoshta Haxhiu po mendon se është më grua se koleget e veta?”, ironizon ai duke shtuar se një pretendim i tillë është i padrejtë dhe ofendues për deputetet e tjera.

Së fundmi, ai sfidon deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili e ka cilësuar si absurde që të dyja palët të kenë nga 61 vota për pozitat në Kuvend. “Në fakt, kjo është e mundur me marrëveshje politike. Egoja po del më e madhe se dija dhe kompetenca”, përfundon Kelmendi.

Reagimi i tij vjen në një moment të krizës institucionale dhe thellimit të mosbesimit mes mazhorancës dhe opozitës. /Kosova.info/


Go to TOP