Çitaku: Gazi amerikan çështje e sigurisë kombëtare
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan nuk duhet të trajtohet si çështje teknike apo infrastrukturore, por si çështje e sigurisë kombëtare dhe orientimit strategjik të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Çitaku tha se “debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Ajo theksoi se pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore, duke shtuar se vendimet në këtë fushë lidhen drejtpërdrejt me sigurinë, ekonominë dhe diplomacinë e vendit.
“Kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se ka kundërshtuar projekte që, sipas saj, do të forconin pavarësinë energjetike të Kosovës dhe se kjo politikë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe varësinë nga importi.
Në fund të reagimit të saj, Çitaku theksoi se Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar më herët gjatë ditës se çështja nëse duhet pranuar gazi amerikan nuk duhet të trajtohet me përgjigje të thjeshta “po” apo “jo”, por përmes diskutimeve të thelluara institucionale dhe ekspertëve të fushës.
Ajo theksoi se institucionet duhet të analizojnë përfitimet dhe kostot e projektit, duke shtuar se Kosova nuk ka refuzuar asnjëherë projekte që janë në interes të qytetarëve dhe se vendimmarrja duhet të bazohet në vlerësime profesionale.
Haxhiu po ashtu ka thënë se Kosova nuk ua ka mbyllur derën diskutimeve serioze për çështjen e gazit dhe se ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është duke punuar në këtë drejtim. /Kosova.info/
