KEDS-i reagon ndaj shqiptimit të gjobave nga ZRrE

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka miratuar propozimet për shqiptimin e gjobave për KESCO-n dhe KEDS-in, duke gjobitur me 8.4 milionë euro KESCO-n dhe 2 milionë e 700 mijë euro KEDS-in në mbledhjen e mbajtur sot.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar KEDS-i duke thënë se sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e kësaj krize.

“Nga kjo deklaratë shihet qartë se Bordi i ZRrE-së, në mënyrë që t’i shkarkojë përgjegjësitë e mosveprimeve të vazhdueshme të tij, ka vendosur t’i gjobisë vetëm operatorët KEDS dhe KESCO, bazuar në të gjeturat e stafit profesional. Pasojat e këtij dënimi, në të njëjtën mënyrë, po ia bartë stafit profesional”, shkruan KEDS.

Gjatë monitorimit të KEDS-it, ZRrE-ja ka konstatuar se kjo kompani nuk kishte prokuruar energji elektrike për mbulimin e humbjeve që parashihet me dispozita ligjore.

Po ashtu, KEDS-i kishte nominuar sasi më të vogla të energjisë për humbje të rrjetit të shpërndarjes se sa vet parashikimi.

Gjobat duhet të paguhen brenda dy vjetëve me nga katër këste.

Go to TOP