KDI fton deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës
Pas interpretimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit si hapi i fundit drejt konstituivit, KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të respektojnë këtë vendim dhe të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për zgjedhjen e anëtarit të mbetur të Kryesisë, duke u bazuar në normat kushtetuese dhe legjitimitetin qytetar.
Në një njoftim për medie, KDI bën të ditur se zgjedhja e anëtarit të pestë të kryesisë nga komuniteti serb e përmbyll konstituimin e Kuvendit dhe i hapë rrugë krijimit të Qeverisë, rrjedhimisht funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.
“Saktësisht 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, përmbyllja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të shihet vetëm një çështje formale, por një hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese. Qytetarët e vendit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës, tanimë kanë humbur shumë dhe presin veprime politike zhbllokuese dhe racionale”, thuhet në njoftim.
KDI rikujton se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe themel i shtetit të së drejtës, andaj të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë në përputhje me këtë parim dhe të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e demokracisë parlamentare. /Kosova.info/
