Kastrati: Po ku po i gjeni bre këta njerëz me hipoteka, që sot po na mbajnë ligjërata për patriotizëm e demokraci?

Gazetari i karrierës Zejdush Kastrati ka shpërthyer me tone të ashpra në një reagim nga këndi i tij personal, ku kritikon ashpër figurat publike dhe politike që, sipas tij, sot po paraqiten si patriotë e demokratë, ndërkohë që e kaluara e tyre është e lidhur ngushtë me pushtetin represiv të Serbisë.

“Nuk mundet bre me na këshillu dikush që babën e ka pas zyrtar të lartë të prokurorisë e gjyqësorit gjatë Millosheviqit, nuk mundet bre me na fol për demokraci dikush që dajtë i ka në Serbi. Nuk mundet bre me na tregu kush ka deshtu në shtet dikush që vet ka pas prindër të përfshirë në represionin e viteve ’81”, shkruan Kastrati.

Ai vazhdon më tej me akuza të drejtpërdrejta ndaj personave që pas luftës kanë abuzuar me pasurinë publike dhe që sot akuzojnë të tjerët për korrupsion.

“Ju jeni të pabesë, jeni fundërrina, jeni servilë. Nuk jeni pak, por fatmirësisht keni filluar të zvogëloheni,” thekson ai.

Në këtë reagim, gazetari shpalos edhe një përjetim personal nga koha kur kishte pyetur zyrtarë të lartë shtetërorë pse rreth vetes kishin afruar njerëz me të kaluar të dyshimtë.

“E pata pyet Jakup Krasniqin se pse ofroni persona të dyshimtë pranë vetes dhe më tha: ‘Jo unë, por pyte Hashën!’ Edhe Fatmir Limaj dha të njëjtën përgjigje. Kur e pyeta Hashim Thaçin, ai qeshi dhe më tha: ‘Leje këtë punë, se këta më sjellin vota dhe copëtohen me m’kry punë.’”

Sipas Kastratit, kjo qasje nuk ka ndryshuar as me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, për të cilin thotë se ka ndjekur të njëjtën taktikë.

“Po të njëjtën taktikë e vazhdoi edhe Albin Kurti… Ku dhe qysh po i gjeni bre?” përfundon Kastrati me një thirrje të qartë kundër hipokrizisë politike dhe riciklimit të figurave të kompromentuar në politikë. /Kosova.info/


Go to TOP