Kastrati: Lista Serbe promovon Radoiçiqin, institucionet nuk duhet të heshtin

Gazetari Zejdush Kastrati ka reaguar ashpër pas hapjes së fushatës së Listës Serbe për zgjedhjet lokale, e cila u mbajt sot në amfiteatrin e Fakultetit Teknik në Mitrovicë. Ai tha se kjo parti ka promovuar Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi “kryeterrorist të aksionit në Banjska” dhe “të akuzuar kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në vitin 2018”.

“Kur Lista Serbe në hapje të fushatës promovon kryeterroristin e Banjskës dhe të akuzuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, parashtrohet edhe kjo pyetje: a duhet të heshtin institucionet tona, e në veçanti KQZ-ja, për të penalizuar këtë organizatë parakriminale politike, e cila gjithnjë ka prodhuar urrejtje dhe aktivitete antikosovare e anti-shqiptare?”, ka shkruar Kastrati.

Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, në emër të vlerave demokratike dhe ligjeve të BE-së e ShBA-ve kanë toleruar veprimet e tilla. “Turpi i mbuloft, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët me ndërtimin e shtetit dhe një Kosove funksionale”, theksoi gazetari.

Në fund, Kastrati ka pasur edhe një mesazh për faktorin ndërkombëtar duke pyetur: “A do t’i lejonit ju, demokratë të nderuar, këto veprime në shtetet e BE-së apo në ShBA? A na keni njohur si shtet të pavarur apo si shtet eksperimental?”. /Kosova.info/


Go to TOP