Kajtazi: Votat e LDK-së për koalicion me VV-në kanë përfunduar në Zyrën Ovale

Analisti dhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka bërë një deklaratë ekskluzive që ka ngjallur debat në skenën politike kosovare. Përmes një postimi, ai tha se edhe pse nuk është i fortë në parashikime zgjedhore apo në analizë të koalicioneve, informacionin e ka “zanat”.

Sipas tij, votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje nuk janë çështje të brendshme politike, por kanë kaluar nëpër kanale diplomatike ndërkombëtare.

“Bazuar në burime shumë të sigurta, votat e LDK-së për koalicion me VV-në, një muaj pas zgjedhjeve, kanë qëndruar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Pas një muaji, ato janë dërguar në Departamentin e Shtetit, ku kanë qëndruar deri në momentin kur LDK-ja votoi Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit. Pas kësaj dite, ato vota janë në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë,” ka thënë Kajtazi.

Ai shtoi me ironi politike se nëse Lëvizja Vetëvendosje “pajtohet me SHBA-të, i merr ato vota” duke lënë të kuptohet se marrëdhënia me Washingtonin mbetet çelësi për çdo konfigurim të mundshëm të ardhshëm politik në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP