Kajtazi: Presidentja po bën politikë me sigurinë, jo detyrën kushtetuese
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentes së Kosovës, e cila së fundi ka denoncuar publikisht një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese për, siç është thënë, rrezikim të sigurisë kombëtare.
Sipas Kajtazit, një qasje e tillë bie ndesh me funksionin kushtetues të Presidentes dhe përbën veprim politik, jo institucional.
“Presidentja që denoncon një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese për rrezikim të sigurisë kombëtare, nuk po ushtron funksionin kushtetues, po bën analizë politike,” ka deklaruar Kajtazi.
Ai ka theksuar se në shtetet demokratike e me institucione funksionale, rastet që paraqesin kërcënim për sigurinë nuk adresohen me konferenca shtypi, por përmes veprimit të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.
“Në vetvete, një denoncim i tillë jo vetëm që nuk kontribuon në siguri, por e cenon atë. Në shtete të përgjegjshme, ata që rrezikojnë sigurinë nuk i denoncojnë me konferenca shtypi, i arrestojnë!”, ka përfunduar Kajtazi.
Deklaratat e Presidentes kanë nxitur reagime të shumta në skenën politike dhe juridike në vend, ndërsa kjo deklaratë e Kajtazit shton më tej shqetësimet për ndërthurjen e funksioneve shtetërore me diskursin politik në dëm të stabilitetit institucional. /Kosova.info/
