Kadri Kryeziu me letër të hapur ndaj Lumir Abdixhikut: Padituria juaj po e ndryshon karakterin unitar të shtetit
Kadri Kryeziu, organizatori i demonstratave të 11 marsit 1981, ish-i burgosur politik dhe një nga bashkë hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka publikuar një letër të hapur drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme deri më 30 shtator 2025.
Në këtë letër, Kryeziu e akuzon Abdixhikun dhe LDK-në se me insistimin që Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, përfshirë edhe atë serb, po i japin Serbisë “fitore që nuk i ka parë as në ëndërr”.
Ai thekson se interpretimi i tillë përbën “gabim kardinal” dhe se shtimi i fjalës “të gjithë” në nenin 67 të Kushtetutës ndryshon jo vetëm funksionimin e Kuvendit, por edhe karakterin e shtetit.
“Ju nuk jeni duke e lexuar nenin 67 brenda kornizave të qarta të përcaktuara në nenin 1 dhe 3 të Kushtetutës. Keni shpikur një version paralel të kushtetutës ku Kosova del shtet multietnik, ku popujt janë konstituivë dhe ku pa një palë bllokohet gjithçka. Kjo është logjika boshnjake që themeluesit e Kosovës janë përpjekur ta shmangin me çdo kusht,” shkruan Kryeziu.
Ai paralajmëron se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të interpretojë dispozitat themelore të Kushtetutës dhe se çdo vendim që cenon parimet e saj përbën “hile juridike me qëllim përmbysjen e shtetit”.
Në fund, Kryeziu e përmbyll letrën e tij me një kritikë të ashpër: “Padituria vërtet kushton, prandaj Ibrahim Rugova sot po rrotullohet në varr.”
