Kabashi: Kurti po e mban vendin peng me zgjedhje të njëpasnjëshme
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Festim Kabashi, ka reaguar ndaj një deklarimi të kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar atë për nisje të fushatës elektorale përmes presionit dhe shantazhit politik.
Sipas Kabashit, Kurti ka lënë të kuptohet se vendi do të vazhdojë të shkojë në zgjedhje të njëpasnjëshme derisa të sigurojë 80 deputetë në Kuvend. Ai theksoi se deklaratat e fundit të kryeministrit janë kontradiktore duke përmendur zgjedhje në pranverë, më pas në tetor, ndërkohë që fajin për situatën ia atribuon opozitës.
Kabashi kritikoi edhe qëndrimin e Kurtit lidhur me pozitën e kryeparlamentarit, për të cilën, sipas tij, vendi u mbajt i bllokuar për një vit, ndërsa tani po trajtohet pa seriozitet.
“Nuk e ke pas seriozisht as në vitin 2025, e as tash. Ky njeri e ka marrë peng shtetin dhe po e rrënon demokracinë”, ka deklaruar Kabashi. /Kosova.info/
