“Kurti flet me Vuçiç-in, por jo me opozitën”, opozita nuk i komenton propozimit e Serbisë

Dy propozimet, të cilat u thanë nga pala serbe se u diskutuan në mes të Kosovës dhe Serbisë në tavolinën e bisedimeve më 18 gusht në Bruksel, sipas publicistit Shkelzen Maliqi, janë të papranueshme për Kosovën.

Për të dalë nga ngërçi politik si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identitet, pala serbe ka propozuar që serbët të mos i konvertojnë targat e tyre në ato “RKS” por në targa neutrale “KS” si dhe ka kërkuar që letrat hyrje/daje t’iu lëshohen serbëve të Serbisë, por jo edhe serbëve që jetojnë në Kosovë.
Mirëpo propozimet e tilla, sipas Maliqit, përpos që prekin në çështjen e sovranitetit të Kosovës, janë edhe fyese, pasi që në këtë rast edhe pala serbe nuk pranon propozimet reciproke të Kosovës, sepse ato ia heqin sovranitetin e supozuar të Serbisë mbi Kosovën.

“Kosova i mbron të drejtat e saja sovrane në territorin e saj. Kjo çështje zgjidhet drejt atëherë vetëm kur arrihet marrëveshja finale me njohje të ndërsjelltë”, ka argumentuar Maliqi.

Për Maliqin vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, të cilat përshkallëzuan situatën në Veriun e vendit në ditën e implementimit, janë legjitime dhe nevojë e një reagimi ndaj një padrejtësie shumëvjeçare që Serbia ua bën qytetarëve të Kosovës për hyrje në Serbi.

“Pjesa më e madhe e serbëve lokalë nuk e kanë problem regjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës dhe t’i marrin dokumentet e vendit ku jetojnë”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga Maliqi, partitë opozitare në Kosovë kanë refuzuar të japin një qëndrim zyrtar në pyetjen e parashtruar se a duhet që Qeveria e Kosovës të pranojë dy propozimet e Serbisë në këtë rast?

Në vend të kësaj, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë orientuar debatin në një pikë tjetër të cilën ata e kanë cilësuar si “defekt” të Qeverisë – asaj të mos-transparencës kur fjala është për çështje nacionale, siç është dialogu me Serbinë.

Për ish-ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, është e pakuptimt që burimi i informacionit për partitë opozitare të jenë deklarata e zyrtarëve të Serbisë, e jo të Kosovës.

“Në këtë rast pres të deklarohem pasi të njoftohemi nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së duke bërë të ditur kërkesën e tyre që “kryeministri të na njoftojë publikisht se çfarë ka ndodhur”

Shqetësimet dhe kërkesat i ka të njëjta edhe Sibel Halimi, zëdhënësja dhe anëtarja e kryesisë së LDK-së.

“Imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit nuk janë aq të mjaftueshme për të konkluduar çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit”, ka thënë Halimi.

Qasja jo transparente e Qeverisë, sipas zyrtares së LDK-së, po krijon mundësi që partia në pushtet të shtrijë gjuhën propaganduese në publik kështu duke mbuluar paaftësinë qeverisëse të saj.

“Kjo qasje, po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut. LDK mbetet në të njëjtat qëndrime për sa i përket dialogut; ruajtja e integritetit territorial, si dhe njohja nga Serbia mbeten parime qenësore. Derisa, tanimë si për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi ynë, partia në pushtet mbetet në nivelin më të lartë të mostransparencës”, ka shtuar ajo.

Edhe për Muharrem Nitajn, sekretarin e përgjithshëm të AAK-së, është vështirë të jepen vlerësime për dialogun, kur Qeveria ka bllokuar rrugët e komunikimit.

“Faktikisht shumë pak dihet për kërkesat e njërës apo palës tjetër, ose për qëndrimet e tyre. Po lexojmë se si ky paska qenë takimi më i mire që prej se mbahen takime të tilla. Për çështjen e targave me aq sa di unë, ka pasur një marrëveshje qe nga koha e Edita Tahirit, dhe ajo që do të duhej të ndodhte është që të zbatohej kjo marrëveshje”, ka thënë Nitaj për Albanian Post.

Takimi i tretë i nivelit të lartë në Bruksel në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it gjatë ditës së enjte të 18 gushtit, pas 5 orësh negociatash ka prodhuar 0 rezultate.

I pari që u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave ishte Aleksandër Vuçiç.

Megjithatë një ditë më vonë, vartësi i tij, Petar Petkoviç, në një konferencë për media ka kumtuar lajmin se Serbia ka pasur dy propozime, të cilët sipas tij shërbejnë “lirisë së lëvizjes” dhe japin një zgjidhje konkrete para 1 shtatorit, ditë së rifillimit të implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës targat dhe kartat e identitetit.

Këto propozime sipas Petkoviç, janë refuzuar në mënyrë kategorike nga Albin Kurti gjatë bisedimeve.

Se Albin Kurti ka refuzuar këto propozime tashmë është e qartë, megjithatë e paqartë është se cilat ishin propozimet e Qeverisë në bisedime.

Ndonëse Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për takimin Kurti-Vuçiç, në të përveç një përpilimi formal, nuk ka pasur asgjë shpjeguese.

“Sot kishte dy tema në agjendë”, thuhej në komunikatë.

E para, konstatohet në komunikatën e Qeverisë për media, “ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.

Ndërsa, tema e dytë ishin “çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Go to TOP