Reagon KEK, raportimet e mediave për B-2 i quan spekulime, jep detaje për gjendjen e kësaj njësie
KEK ka reaguar lidhur me disa raportime në media lidhur me remontin e njësisë B-2, që koorporata i ka cilësuar si të pavërteta.
“Sot, e Mërkurë 28 Shtator, 2022 nga mjetet e informimit publik jemi vënë në dijeni se ka pasur raportime publike të shtrembëruara mbi remontin e njësisë B-2
Me qëllim të sqarimit të drejtë të opinionit publik i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se gjendja e njësisë B-2 është si në vijim:
Njësia B-2 ka realizuar remontin e rregullt vjetorë në Gusht të këtij viti. Ky remonti është bërë me pjesëmarrjen në inspektim në punët në turbinë nga ekspertët e kompanisë General Eletric (GE). Inspektimi ka rezultuar me disa të gjetura të cilat janë eliminuar. Remonti është bërë po ashtu nën mbikëqyrjen e ekipit të GE.
Për sigurinë e operimit të turbinës në njësinë B2, ekspertët e GE kanë rekomanduar kufizim të ngarkesës në operim, i cili pritet që të rritet pas aktivizimit të sistemit të ko-gjenerimit me 15 tetor.
KEK e ri-thekson se spekulimet e disa mediave lidhur me remontin e njësisë B2 kanë efekt negativ në gatishmërinë dhe vullnetin e punëtorëve që bëjnë maksimumin në operimin e njësive prodhuese dhe për të siguruar energji elektrike për qytetarët e vendit, andaj kërkojmë nga të gjithë palët që të mos bien pre e këtyre spekulimeve”, theksohet mes tjerash në reagimin e KEK.
