Java e Albanologjisë në IAK, diskutohet historiografia shqiptare
Në kuadër të simpoziumit “Java e Albanologjisë”, që po mbahet në Institutin Albanologjik të Kosovës, historianë, arkeologë dhe albanologë nga vende të ndryshme kanë diskutuar mbi historiografinë shqiptare.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë identiteti kombëtar shqiptar, nacionalizmi, debatet historiografike në Ballkan, si dhe zbulimet e fundit arkeologjike në Kosovë.
Në hapje të konferencës, shefi i seksionit të historisë në Institutin Albanologjik profesor Nuredin Ahmeti, tha se historiografia shqiptare mbetet një fushë me interes të veçantë për mënyrën se si është ndërtuar dhe interpretuar historia shqiptare në kontekste të ndryshme akademike dhe kulturore.
“Ky aktivitet mbledh studiues dhe hulumtues të fushës së historisë, të cilët përmes punimeve të tyre mundohen të trajtojnë çështje që lidhen me identitetin historik shqiptar, interpretimet e historiografive të ndryshme evropiane, si dhe kontributin e studiuesve vendor dhe atyre ndërkombëtarë në ndryshimin e së kaluarës sonë”, ka thënë Ahmeti.
“Që në hyrje të kësaj monografie autori paraqet gjendjen ?.. të trajtimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare deri në kohën kur ai vizitoi këto treva, pra në vitin 1869 dhe në vitin 1873 dhe shton se shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve”, ka thënë Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në IAK
Vëmendje të veçantë morën edhe zbulimet arkeologjike. Studiuesit prezantuan rezultatet e gërmimeve në Ulpianë dhe lokalitete të tjera duke përmendur bazilikat monumentale baptisteret dhe mozaikët e periudhës bizantine.
“Zbulimi më i rëndësishëm i viteve 2021-2023, nga Godard dhe nga ekipi Franko-Kosovar, kemi bazilikën e madhe monumentale, një prej bazilikave më të mëdha në Ballkan, një kishë tri nefshe, me të gjitha elementet që e kishte një bazilikë e rrëpuntë, dhe dy mozaikat e famshëm me emrat e Justinianit dhe Teodorës”, ka thënë Zana Hoxha, hulumtuese e pavarur në IAK.
Java e Albanologjisë do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve tjera me sesione shkencore nga fusha e trashëgimisë, etnologjisë dhe folklorit shqiptar.
