Jashari: Presioni ndaj votuesve serbë në Kosovë i papranueshëm, kërkohet mbrojtje e votës së lirë
Avokati Arbër Jashari ka ngritur shqetësim për raportimet e fundit mbi, siç u tha, përndjekje, shkarkime nga puna dhe presione ndaj qytetarëve serbë në Kosovë nga eksponentë të Listës Serbe, të cilat sipas tij lidhen me mbështetjen e subjekteve të tjera politike serbe, njofton Kosova.info.
Ai i ka cilësuar këto veprime si thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të garantojnë të drejtën e çdo qytetari për të shprehur vullnetin e tij politik lirshëm, pa frikë dhe pa presion.
Jashari ka theksuar se integriteti i procesit zgjedhor duhet të mbrohet në çdo rrethanë, ndërsa çdo formë e ndikimit mbi votuesit përbën vepër penale dhe duhet të ndëshkohet sipas ligjit.
Sipas tij, shantazhi, manipulimi dhe krijimi i atmosferës së frikës nuk mund të tolerohen në një sistem demokratik, duke shtuar se pluralizmi politik duhet të jetë i garantuar edhe brenda komuniteteve, si kusht për funksionimin e plotë të demokracisë në Kosovë.
