Jashari: Lista Serbe, mjet i Beogradit për destabilizim e ndarje etnike

Avokati Arbër Jashari ka reaguar pas raportimeve të mediave kroate për arrestimin e një oficeri të Forcave Ajrore të Kroacisë dhe një gruaje serbe nga Mitrovica, të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë.

Sipas mediave, piloti kroat kishte shërbyer më herët në misionin e KFOR-it në Kosovë, ndërsa dyshohet se i kishte dhënë informacione konfidenciale të dashurës së tij serbe, e cila më pas i kishte përcjellë ato tek eksponentë të Listës Serbe.

Jashari thekson se ky rast është dëshmi e re se shteti serb, përmes strukturave dhe agjentëve të tij në Kosovë, ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë spiunazhin si armë kryesore kundër Kosovës. Ai ka kërkuar që institucionet e vendit të nisin menjëherë hetime për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë çdo individ brenda këtij subjekti politik që ka kryer veprimtari kundër shtetit.

“Nëse vërtetohen këto dyshime, kjo është edhe një dëshmi më shumë se Lista Serbe nuk po e kryen rolin e saj si parti e mirëfilltë politike, por po i shërben Beogradit si mjet destabilizimi dhe ndarje etnike,” ka deklaruar Jashari. /Kosova.info/


Go to TOP