Jashari: Igor Popoviq pranoi fajësinë në Kosovë, u bë “trim” vetëm pasi kaloi kufirin
Avokati Arbër Jashari ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarit serb Igor Popoviq duke i cilësuar ato si “sjellje aspak dinjitoze dhe krejtësisht prej burracaku”.
Sipas Jasharit, gjatë qëndrimit në Kosovë, Popoviq, nga frika për t’u përballur deri në fund me drejtësinë për veprën penale “Nxitja e përçarjes”, kishte nënshkruar marrëveshjen për pranim të fajësisë me Prokurorin Special dhe e kishte konfirmuar atë para Gjykatës, pa asnjë kundërshtim. “Sapo kaloi kufirin e Kosovës, ai filloi të bëjë trim duke deklaruar se nuk i vjen pishman për deklaratat e tij inkriminuese,” shtoi avokati.
Jashari kritikoi edhe Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë, e cila sipas tij, i doli në mbrojtje Popoviqit me pretendimin se marrëveshja e nënshkruar në Kosovë nuk prodhon efekt juridik në Serbi apo në të drejtën ndërkombëtare, dhe se ishte lidhur nën presion e shkelje të të drejtave themelore.
“Deklarata të tilla nuk i besojnë as vetë zyrtarët serbë, të cilët e dinë realitetin faktik dhe juridik në Kosovë: se Kosova është shtet i pavarur, me kontroll të plotë juridik dhe faktik në tërë territorin e saj përmes institucioneve legjitime. Këto deklarata shërbejnë vetëm për konsum politik në opinionin serb, edhe pse më nuk pinë ujë, madje as aty,” përfundoi Jashari. /Kosova.info/
