OPINION

Ja pse ShBA-ve, NATO-s, BE-së dhe Shqipërisë u intereson një Turqi e fortë

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI
Kur dikush i cili shkruan ndonjë shkrim dhe shpreh ndonjë opinion të tij , ai duhet që të përgatitet mirë. Ai duhet që shkrimin ta argumentojë dhe qëndrimin e tij ta justifikojë duke e mbrojtur atë me fakte dhe me të vërteta, pavarësisht se atij ndoshta edhe nuk i pëlqejnë ato. Opinionistët, analistët e artikujshkruesit duhet të mundohen që të mposhtin egoizmin dhe inatcillëkun ndaj të tjerëve. Por kryesore është që ata të mos bëhen mercenarë të parasë, pushtetit dhe as të agjendave antishqiptare të cilët me hipokrizira e djallëzira mundohen t’i fshehin me patriotizma false e të korruptuara, siç bëjnë edhe disa islamofobë e turkofobë shqiptarë.

Po e nis këtë shkrim me atë se cfarë ka deklaruar Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kohë më parë se “Norvegjia, ShBA-ja, Kanadaja, Britania dhe Turqia në jug janë vende që kanë një rol kyç për të garantuar sigurinë e Europës. Dhe icili vazhdon me:

“Duhet të pranojmë se Turqia është një aleat i rëndësishëm. Turqia ka ofruar kontribut në mënyrë të vendosur në luftën kundër ISIS-it dhe në rrënimin fizik të kalifatit në fjalë. Asnjë vend aleat nuk ka pranuar refugjatë sirianë aq sa Turqia. Ajo ka pranuar 3,6 milionë sirianë dhe asnjë vend i NATO-s nuk ka përjetuar sulme aq sa Turqia”, kishte theksuar Stoltenberg.

Po kështu Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price në një konferencë për mediat në Departament ka bërë këtë deklaratë lidhur me aktualitetin.

Duke vënë në dukje interesat e përbashkëta me Turqinë ai tha:

“Ne jemi në kërkim të bashkëpunimit për përparësitë tona të përbashkëta dhe jemi në dialog për mosmarrëveshjet tona, ashtu siç bëjmë me çdo aleat.”

Price theksoi se Turqia është një partner afatgjatë dhe i vlefshëm për NATO-n.

“Me Turqinë kemi shumë interesa të përbashkëta si: përfundimi i luftës në Siri, lufta kundër terrorizmit dhe parandalimi i keqdashësve në rajon”,- u shpreh zëdhënësi Price.

Pra këto janë deklarime të personaliteteve të larta të NATO-s dhe të ShBA-ve të cilat pasqyrojnë qëndrimet zyrtare, dhe nuk janë opinione analistësh e opinionistësh e as mediafantazistësh .

Ja edhe se si deklarohet edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për marrëdhëniet me Turqinë i cili i është përgjigjur edhe David Phillipsit që ishte shprehur më parë se shqiptarët duhet ta marrin seriozisht kërcënimet ndaj sovranitetit që vijnë nga Rusia dhe Turqia.

“Marrëdhëniet tona me Turqinë nuk përbëjnë as kërcënim dhe as kushtëzim dhe profesori (David Phillips) duhet ta mbajë mend që Turqia ka qenë i pari vend që e ka njohur Kosovën. Dhe deklarimi i Pavarësisë është ndjekur live në tryezën e Qeverisë së Turqisë. Profesori e di shumë mirë që Shqipëria është një vend ku jetojnë të krishterë dhe myslimanë”, ka thënë Edi Rama.

Pra përgjigjja e Edi Ramës është reale dhe e vërtetë , pasi shumë edhe ekspertë të huaj, por edhe disa farë “historino-ekspertësh” shqiptarë të cilët mundohen që ta falsifikojnë dhe të intrigojnë me të vërtetat.

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Turqi deklaronte: 

“Falënderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Turqisë dhe mikun tim për këtë mikpritje të paharrueshme!

I jam mirënjohës Presidentit… dua ta shpreh këtu, mirënjohjen për të dhe për popullin turk, për reagimin e menjëhershëm në mbështetje të Shqipërisë, duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të shkuar, ndërkohë që një tjetër tërmet e kishte lëkundur Shqipërinë dy muaj më parë. Presidenti Erdoğan ishte i pari, i cili u angazhua publikisht dhe botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe faktikisht, i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirjeje të shumë të tjerëve, që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për familjet e prekura nga tërmeti.

Presidenti dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë që, njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre dhe ndaluan deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë.

E unë jam sot, vërtetë krenar që mu dha mundësia dhe nderi që të nënshkruaj këtu, në emër të Republikës së Shqipërisë, me Presidentin Erdoğan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si e vetmja superfuqi botërore është fat i madh që ato janë aleati besnik dhe jetik i shqiptarëve.

Në kuadër të asaj se ShBA janë bastioni global i demokracisë, i ruajtjes së paqes globale dhe mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të njeriut , dhe prandaj asaj i nevojiten edhe aleanca e marrëdhënie strategjike e gjeopolitike, ku si të tillë aleatë të saj janë Shqipëria e Kosova, por një aleat tjetër strategjik i madh për ShBA-të është edhe Turqia. Turqia është aleat strategjik i ShBA-ve së pari për vendndodhjen dhe shtrirjen gjeopolitike e gjeostrategjike që Turqia ka. Dhe e dyta që është akoma më e rëndësishme, është fakti se ashtu si për ShBA-të, ashtu edhe për Turqinë kërcënim për to përbëjnë Rusia e Kina të cilat synojnë që të dalin në skenën botërore si superfuqi globale ekonomike, politike, ushtarake e territoriale me qëllim për të dobësuar e sfiduar ShBA-të.

Ndërsa Turqia pavarësisht se qarqe të caktuara politike por edhe ndonjë shtet në BE madje, si dhe opinionistë, analistë e media nga perëndimi “shqetësohen “prej fuqizimit të Turqisë duke dal dhe sajuar teza neootomone dhe me agjenda islamike për Turqinë. Në fakt këto janë më shumë sajesa sllavo-serbo-ruso-grekoortodokse të cilat gjejnë terren propagandistik edhe në perëndim si dhe te disa individë e media shqiptare që spekulojnë dhe mundohen të justifikohen me të kaluarën e me historinë mesjetare e paramoderne.

Turqia nuk përbën asnjë lloj kërcënimi për perëndimin pasi Turqia ka probleme me Rusinë dhe Kinën , dhe ajo ka përgjegjësinë së pari për t’u kujdesur dhe për të mbrojtur dhe ndihmuar popujt, shtetet dhe kombet turke të dala e të pavarësuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik , si dhe për të mbrojtur ujgurët në Kinë të cilët po i nënshtrohen një gjenocidi nga autoritetet dhe shteti kinez.

Ndërsa një fuqizim i Turqisë në Lindjen e Mesme kundër Kinës e Rusisë u intereson edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si në rastin kundër regjimit prorus të Asadit në Siri , ashtu edhe në Afganistan kur tani dhe prandaj ShBA-të po ia dorëzojnë aeroportin e Kabulit Turqisë, pasi Afganistani pas tërheqjes së ShBA mund të bie pre e ekspansionit rus apo kinez, gjë e cila është kundër interesave amerikane.

Një fuqizim i Turqisë ne Mesdhe dhe marrëdhëniet e mira shqiptaro-turke janë në interes edhe të ShBA-ve, pasi Serbia dihet dhe ajo e ka deklaruar madje se si aleatë strategjikë ajo ka zgjedhur Rusinë dhe Kinë , e po kështu dihet se edhe Greqia në momente të caktuara ajo ka dalë si shtet antiamerikan dhe si një aleat i fshehtë me Rusinë. ShBA e di mirë se edhe Franca nuk është se i qëndron seriozisht besnIke ShBA-ve, pasi dikur edhe doli nga NATO.

Në lidhje me qëndrimin amerikan dhe atë turk për Kosovën shohim se të dy ato shtete janë dhe kanë qëndrime thellësisht proshqiptare.

Për ShBA-të as që mund të diskutohet se ato janë aleati më i madh strategjik i shqiptarëve, por edhe Turqia është aleati kryesor rajonal për shqiptarët. Pavarësisht se ka individë që mundohen të sajojnë e të nxisin përcarje mes Shqipërisë e Turqisë, me gjoja se përse Turqia sillet e ka marrëdhënie kështu apo ashtu me Rusinë p.sh., por për shqiptarët i rëndësishëm është fakti se përsa i përket Kosovës, Turqia ka qëndrime diametralisht të kundërta me Rusinë dhe me të tjerët që janë pro Serbisë, dhe qëndrimet e Turqisë për Kosovën janë të njëjta me ato të SHBA-ve, gjë të cilës edhe e deklaroi disa ditëve më parë edhe Presidentit turk Erdogan se:“Ne do t’i diskutojmë këto çështje në takimin tim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB këtë vit. Le të punojmë së bashku për njohjen e Kosovës. Unë do t’ia propozoj këtë atyre”, u shpreh Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Është Turqia pengesa kryesore që nuk lejon shtrirjen dhe dominimin rus në Mesdhe si dhe as ekspansionin ekonomik kinez në Europë.