Gërvalla takon përfaqësuesit e shoqatave të diasporës, flasin për institucionalizim të bashkëpunimit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministren znj. Liza Gashi, ishin nikoqire të një grupi të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare nga diaspora, me të cilët zhvilluan takim. Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohen mundësitë e bashkëpunimit si dhe nevojat dhe sfidat me të cilat përballen këto shoqata dhe anëtarët e tyre.

Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do ta harrojnë asnjëherë as bashkëpunimin e as kontributin e shoqatave të diasporës për vite me radhë për vendlindjen si në kulturë, arsim e në fusha tjera.

“Sot kërkesat që ju i keni, këndvështrimin tuaj, problemet që keni duam t’i dëgjojmë nga afër”, ka thënë Gërvalla teksa ka siguruar ata që nuk do t’ju mungoj mbështetja e Qeverisë së Kosovës për aktivitetin e tyre.

Gjithashtu edhe zëvendësministrja Gashi, ka theksuar nevojën për kanalizim të energjisë dhe punës duke u bërë bashkë mërgata si dhe duke e ngritur nivelin e bashkëpunimit me institucionet në Kosovë.

 “Vetëm duke u bërë bashkë mund të avancohet roli i mërgatës në shoqëritë ku jetojnë”, ka shtuar ajo. /Kosova.info/

Go to TOP