IPK nis hetime për vrasjen e trefishtë në Gjilan, suspendohen katër policë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim paraprak për të verifikuar nëse ndonjë pjesëtar i Policisë së Kosovës ka pasur lëshime apo përfshirje të mundshme në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit që është shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Bazuar në autorizimet ligjore dhe për të ruajtur integritetin e hetimit, si dhe për të shmangur çdo ndikim mbi dëshmitarët apo provat, IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Si rezultat i rekomandimit, janë suspenduar: një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, si dhe një zyrtar policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të të njëjtës drejtori.

IPK, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, po zhvillon hetime penale paraprake ndaj tyre, për dyshime mbi përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale. Hetimet janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale. /Kosova.info/


Go to TOP