Inspektorati i kryeqytetit pastron hapësirat përreth Tregut të Gjelbër, paralajmëron masa ndëshkuese për shkelësit

Florian Dushi, Drejtor i Inspekcionit, ka ndërmarrë një tjetër aksion për pastrimin e hapësirave përreth Tregut të Gjelbër, ku ishte grumbulluar një sasi e madhe mbeturinash.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur pastërtinë dhe apelimeve për kujdes nga ana e tregtarëve dhe vizitorëve, persona të pandërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin mbeturina në mënyrë të pakontrolluar në këto hapësira, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit.

Aksioni i pastrimit, që zgjati dy ditë radhazi, u realizua në kuadër të përkushtimit të Inspektoratit për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë. Ndërkohë, Inspektorati paralajmëroi se në rast të përsëritjes së këtyre shkeljeve, do të merren masa ndëshkuese ndaj personave përgjegjës.

“Ftojmë qytetarët dhe tregtarët të bashkohen në këtë përpjekje, duke treguar kujdes për mjedisin, dhe duke raportuar çdo rast të papërgjegjshmërisë,” deklaroi Dushi.

Inspektorati i Kryeqytetit mbetet i përkushtuar për të siguruar një ambient të pastër dhe të sigurt për qytetarët e Prishtinës, ndërsa bën thirrje për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga të gjithë. /Kosova.info/


Go to TOP