Inspektorati dënon kompaninë: Zero tolerancë ndaj hedhësve të mbeturinave në vende publike
Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka kapur në flagrancë në Keqekollë një kompani duke hedhur mbeturina inerte përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Prapashticë.
Kjo sjellje e papranueshme është ndëshkuar menjëherë me gjobë, dhe kompania është e detyruar që brenda afateve ligjore të pastrojë hapësirën dhe ta rikthejë në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu, për pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës është vendosur gjobë shtesë.
Me këtë kryetari i komunës ka paralajmëruar të gjithë ata që mendojnë të ndotin apo dëmtojnë hapësirat publike: NUK DO TË KETË TOLERIM!
“Çdo veprim i tillë do të ndëshkohet me gjoba të rënda dhe do të njoftohet policia për ndjekje të mëtejshme ligjore”, theksojë kryetari i Komunës së Prishtinës.
Gjithashtu ai theksoi se janë në terren ditë e natë për të mbrojtur mjedisin tonë. Me këtë rast ata kërkuan bashkëpunimin me qytetarë që për çdo parregullsi që hasni, na kontaktoni menjëherë në numrat tanë falas: 0800 12233 ose 0800 12244. /Kosova.info/