INDEP: Të shqetësuar që ndryshimi i nivelit të pagave po përdoret nga Qeveria për qëllime elektorale
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shprehur shqetësimin e tij pasi Qeveria vendosi dje që të rriten pagat në sektorin publik me 55 euro nga janari dhe me 55 euro të tjera nga korriku. Sipas INDEP, përdorimi i ndryshimeve në pagat e sektorit publik për qëllime elektorale nga partitë politike është një fenomen shqetësues.
“INDEP shpreh shqetësimin e thellë që partitë politike në Kosovë vazhdojnë të shfrytëzojnë ndryshimet në pagat e sektorit publik për përfitime elektorale. Vendimi i fundit për rritjen graduale të koeficientëve të pagave dhe reagimet e opozitës janë shembuj të kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të reja,” deklaron INDEP.
Instituti argumenton se koeficientët e pagave duhet të lidhen drejtpërdrejt me vlerën e pagës minimale. “Në diskutimet mbi Ligjin për Pagat, ne kemi theksuar se një ndërlidhje e tillë do të siguronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme për pagat, duke krijuar një lidhje të domosdoshme ndërmjet sektorit publik dhe privat,” theksoi INDEP. Procesi i përcaktimit të pagës minimale, që përfshin Këshillin Ekonomiko-Social dhe përfaqësues nga sektori privat, është gjithpërfshirës dhe mbulon interesat e të gjitha palëve.
Sipas INDEP, një rritje e njëanshme e pagave në sektorin publik, pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat, mund të shkaktojë ndasi ekonomike dhe të prishë ekuilibrin ekonomik në vend. “Këto vendime duhet të pasojnë rritjen ekonomike dhe vendimmarrjen e përbashkët sociale, jo premtimet në prag të zgjedhjeve,” thuhet më tej në deklaratë.
INDEP i konsideron praktikat e përdorimit të pagave publike gjatë cikleve zgjedhore si dëm për integritetin e politikave publike dhe zhvillimin ekonomik. Instituti apelon për një metodologji të qartë dhe transparente në përcaktimin e koeficientëve të pagave, bazuar në tregues ekonomikë dhe një qasje të konsultuar me të gjitha palët.
Në përfundim, INDEP bën thirrje për një sistem pagash të drejtë dhe të qëndrueshëm, që të mos jetë i varur nga premtime elektorale, por të ndërtohet mbi ligje gjithëpërfshirëse dhe harmonizim me pagën minimale.
