Hyseni rrëfen pas 15 vitesh: Fitorja në GjND, triumfi më i madh diplomatik i Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka kujtuar sot 15-vjetorin e vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila më 22 korrik 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në një rrëfim të gjatë dhe emocional, Hyseni kujtoi sfidat, skepticizmin dhe përkushtimin që shoqëruan procesin, që ai e quan si “fitore të pastër të Kosovës në skenën ndërkombëtare”. Ai thekson se kishte nderin dhe përgjegjësinë të koordinojë të gjithë procesin dhe të përfaqësojë Kosovën para GJND-së, në një kohë kur shumëkush në vend nuk besonte në një epilog të favorshëm.

“Me 22 korrik 2010, Gjykata me një votë bindëse 10 me 4 konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky vendim afirmoi qëndrimet tona dhe fuqizoi legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit tonë”, shkroi Hyseni.

Ai kujtoi se pas miratimit të rezolutës serbe në OKB në tetor 2008, ndonëse i zhgënjyer, mori me optimizëm detyrën që i ishte besuar nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces sfidues.

“Shumëkush në Kosovë atëherë e shihte këtë betejë si të humbur. Unë pranova detyrën me bindje të plotë dhe kërkova duar të lira për të përzgjedhur ekipin. Kisha vendosur që, nëse Kosova humbte, do të dorëzohesha menjëherë nga çdo post publik – letrën e dorëheqjes e mbaja në xhep”, rrëfen Hyseni.

Ai falënderoi shtetet aleate dhe ekipin ndërkombëtar ligjor, të udhëhequr nga eksperti i njohur Sir Michael Wood, për bashkëpunimin dhe përkrahjen. Rrjedhimisht, më 22 korrik 2010, GJND shpalli mendimin këshillëdhënës që legjitimoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe rrëzoi pretendimet se ajo kishte shkelur rezolutën 1244 të OKB-së.

“Fitorja në GJND mbetet kulmi i diplomacisë kosovare pas shpalljes së pavarësisë – një ditë që e kujtoj me krenari të veçantë,” përfundon Hyseni duke përshkruar emocionet e asaj dite kur vendimi u shpall dhe kur e gjithë Kosova festoi para ekraneve televizive. /Kosova.info/


Go to TOP