Hyseni: Kandidatët që vjedhin vota brenda partisë janë rrezik për demokracinë
Ish anëtari i kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për manipulim të votave mes kandidatëve të së njëjtës parti duke e cilësuar këtë sjellje si alarmante dhe thellësisht të dëmshme për demokracinë.
Në një reagim publik, Hyseni ngre pyetjen se çfarë mund të pritet nga një kandidat për deputet që, sipas tij, vjedh votat e kandidatit tjetër nga e njëjta parti. “Zot na ruaj!”, shprehet ai duke shtuar se persona të tillë, nëse bëhen deputetë, “do ta vjedhin edhe dheun nën këmbë”.
Ai thekson se pafytyrësia, sipas tij, nuk paska fund dhe se kjo prapësi duket se ka filluar moti. “Turpi ju mbuloftë!”, përfundon Hyseni reagimin e tij duke e cilësuar fenomenin si dëshmi të një degradimi të thellë moral dhe politik.
Reagimi i Hysenit vjen në një kohë kur procesi zgjedhor në Kosovë po përcillet me akuza për parregullsi dhe thirrje të shumta për hetim, rinumërim dhe përgjegjësi ligjore për këdo që cenon vullnetin e votuesit. /Kosova.info/
