Mehmetaj: Askush nga Vetëvendosje nuk u distancua nga vjedhja e votave
Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit rreth dyshimeve për vjedhjen dhe manipulimin e votave duke theksuar se, ndryshe nga partitë e tjera, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur asnjë distancim publik.
Sipas Mehmetajt, përfaqësues nga LDK-ja dhe PDK-ja kanë dalë publikisht për t’u distancuar nga këto veprime, ndërsa nga Vetëvendosje, siç shprehet ai, nuk ka reaguar askush. “Dolen të LDK-së e u distancuan nga vjedhja e votave, dolen të PDK-së e u distancuan, askush akoma nuk ka dalë nga Vetëvendosja me u distancu”, ka deklaruar ai.
Mehmetaj thotë se risia që Vetëvendosje e ka sjellë në politikën kosovare është mungesa e çdo ndjenje përgjegjësie edhe kur, sipas tij, kapen në shkelje. Ai shprehet se zyrtarët e kësaj partie, në vend se të reflektojnë, bëhen edhe më arrogantë.
“Sipas kësaj logjike, secili hajn i Vetëvendosjes pasi zihet, veç më arrogant bëhet dhe veç më shumë e thekson poshtërsinë”, ka thënë gazetari duke shtuar se dallimi me partitë e tjera është i qartë.
Ai thekson se në partitë e tjera politike, kur ka raste të tilla, të paktën vërehet një dozë turpi dhe tërheqjeje, ndërsa te Vetëvendosje, sipas tij, ndodh e kundërta. “Këta të tjerët nëse zihen, bile kuqen pak. Këta veç më thellë futen në krim”, ka përfunduar Mehmetaj.
Reagimi i gazetarit vjen në kohën kur debati për integritetin e procesit zgjedhor është intensifikuar, me kërkesa për hetime, rinumërim votash dhe përgjegjësi penale për çdo shkelje të konstatuar. /Kosova.info/
