Hoti: Respekti që varet nga bindja politike është hipokrizi – nuk ma imponon askush mendimin tim
Djali i veprimtarit dhe intelektualit të shquar Ukshin Hoti, Andin Hoti, ka reaguar publikisht pas një kohe të gjatë heshtjeje duke shprehur zhgënjimin e tij ndaj reagimeve që, sipas tij, e lidhin respektin ndaj tij me përkatësinë politike.
“Sot ndjej nevojën të sqaroj disa gjëra. Shprehje si: ‘E korite emrin e babës’, ‘Të ka përdorur pushteti’, ‘Je shitur për interes’ nuk tregojnë as shqetësim, as dashuri për idealin, por zhveshin nga çdo vlerë njerëzore respektin e rremë që disa paskan pasur”, ka shkruar Hoti.
Ai e quajti “të neveritshme” mënyrën se si disa njerëz e matin respektin ndaj një personi në bazë të qëndrimeve politike. “Pra, unë paskam qenë i mirë sa kohë mendoja si ti, dhe i keq sapo mendova vetë. Kjo nuk është as respekt, as ideal – kjo është hipokrizi.”
Në reagimin e tij, Hoti kujtoi edhe periudhën pas luftës duke theksuar se ata që sot flasin në emër të patriotizmit, dikur nuk e njihnin as emrin e tij. “As ju, as askush tjetër, nuk ma imponon bindjen. Nuk e shes, nuk e ndërroj dhe nuk e negocioj. Unë jam aty ku dua të jem, ku e shoh të drejtë të jem, ku mendoj se mund të jap kontributin tim për vendin,” shkroi ai.
Në fund, Andin Hoti pranoi se heshtja e tij e gjatë ka qenë shpesh “shkatërruese”, por ka ardhur nga dëshira për të ruajtur respektin, edhe kur ai ka qenë i rremë.
“Nuk e di nëse do të vazhdoj të jem ai që nuk jam, por uroj që nëse ndonjë ditë bëhem ai që jam, të jem përsëri i matur,” përmbylli ai mesazhin e tij. /Kosova.info/
