Hoti kritikon Qeverinë Kurti për borxhin shtetëror

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Sipas tij krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023.

“Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023; Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023; Norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë joefektiv.

“Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”.

“Si parim, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror”.

“Gjatë vitit 2023, janë anuluar 5 nga 11 ankandet e letrave me vlerë për huazim në tregun e brendshëm. Ky është sinjal i keq për tregun e brendshëm financiar, sepse krijon pasiguri dhe pamundëson planifikimet adekuate të portfoliove kreditore të bankave komerciale për ekonominë dhe familjet”.

Ish-kryeministri i Kosovës thekson se vlerësimi kreditor shtetëror i Kosovës do të duhej të ishte kryer gjatë këtij mandati.

“Ai as nuk ka filluar. Ky vlerësim kryhet nga agjenci ndërkombëtare të vlerësimit dhe ka për qëllim të përcaktojë gjasat që një vend të mos paguajë borxhet. Ky vlerësim i hap Kosovës mundësinë për qasje në fondet e jashtme nga më të ndryshmet, përfshirë investimet e jashtme. Ky lloj vlerësimi është i rëndësishëm edhe për bankat komerciale për qasje në fonde të jashtme më të favorshme për kreditin e ekonomisë dhe familjeve në Kosovë. Në mungesë të këtij vlerësimi, normat e interesit në Kosovë janë mesatarisht më të larta, që nënkupton se koston e mospunës së Qeverisë për të kryer vlerësimin kreditor shtetëror po e paguajnë bizneset dhe qytetarët e Kosovës”.

Go to TOP