Hoti kritikon Osmanin për qëndrimin ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit: Hipokrizi dhe përvetësim i rrethanave

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit duke e akuzuar për hipokrizi dhe ndryshim të qëndrimit për përfitime politike.

Në një postim publik, Hoti kujtoi qëndrimin e mëhershëm të presidentes Osmani, kur ajo e kishte quajtur marrëveshjen cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin. Ai tha se tani, pesë vite më vonë, Osmani e quan të njëjtën marrëveshje “të mirë” dhe pretendon se ajo është zbatuar.

“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës! Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme,” shkroi Hoti.

Ai theksoi se as Osmani e as kryeministri Kurti nuk e kanë zbatuar marrëveshjen, por e kanë kundërshtuar atë vazhdimisht, dhe tani po përpiqen ta përvetësojnë për shkak të ndryshimeve në rrethanat politike në SHBA.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror,” përfundoi Hoti. /Kosova.info/


Go to TOP