Hoti: Kemi 50.8 për qind rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë

Baki Hoti, drejtor ekzekutiv i Unionit të Turizmit të Kosovës, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, bëri me dije se Kosova ka rritje të numrit të vizitorëve mbi 28.4 për qind, po ashtu se Kosova ka rritje të vizitorëve ndërkombëtarë 50.8 për qind.

Ai njoftoi rreth Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024”, i cili do të mbahet së shpejti.

“Kosova ka nevojë për një panair të tillë. Edicioni i tretë do të jetë më 12 dhe 13 prill. E veçantë e këtij viti është se kemi rritur gamën dhe interesimin e bizneseve të cilat do të marrin pjesë. Këtë herë janë mbi 300 kompani pjesëmarrëse, nga pesëmbëdhjetë shtete. Kemi biznese edhe nga shtetet mosnjohëse të Kosovës siç është Greqia. 11 kompani nga Greqia vijnë për herë të parë. Po ashtu, për herë të parë këtë vit do të vijnë kompani edhe nga Malta”, tregoi Hoti.

Ai theksoi se kemi rritje të numrit të vizitorëve dhe se Kosova, nga vend transit, ka kaluar në vendqëndrim.

“Kosova ka pasur rritje në raport me vitin 2023 me vitin 2022 mbi 28.4 për qind, që është goxha shumë. Janë shtuar netqëndrimet. Kosova ka qenë njëfarë formë si vend transit për vizitorët. Kanë ndenjtë një natë, kanë vazhduar. Në disa vende numri i netqëndrimeve ka shkuar deri në 3.8”, deklaroi Hoti.

Ai shtoi se nëse e krahasojmë janarin e vitit 2024 me janarin e vitit 2023, kemi 50.8 për qind rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë.

Go to TOP