Hoti: Eksperimente me LDK-në nuk do të ketë, partia duhet t’i kthehet elektoratit tradicional
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do të ketë eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj politike duke theksuar se rezultati zgjedhor ka dhënë një mesazh të qartë për drejtimin që duhet të ndjekë partia.
Sipas Hotit, LDK-ja duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe te vizioni që e ka formësuar ndër vite. Ai theksoi se partia duhet të luftojë çdo mentalitet që, sipas tij, dobëson aleancat historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës.
“LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.
Deklarata e tij vjen në një periudhë diskutimesh të brendshme në parti lidhur me drejtimin politik dhe strategjinë e ardhshme të LDK-së. /Kosova.info/
